インタビュー・対談シリーズ『私の哲学』
Vëll.111 Mitsuyuki Takada

hNga një Drejtor Ekzekutiv dhe Këshilltar në Mitsubishi Corporation në Ambasador i Japonisë në Shqipëri, Mitsuyuki Takada tani po përpiqet të lidhë bizneset shqiptare me ato japoneze. Duke kaluar nga biznesi i madh në Mitsubishi, në rritjen dhe mbështetjen e bizneseve të vogla, ai “po mbjell me kujdes farat”. Në moshën 65-vjeçare, ai ndan ëndrrat dhe sfidat e tij me ne.

Profili

Vëll.111 Mitsuyuki Takada

Presidenti dhe CEO i Albalkan Corporation
Mitsuyuki Takada lindi në Semba, të Osaka-s dhe u rrit në qytetin Yao. Ai u diplomua në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin Keio në 1981. Ai punoi për Mitsubishi Corporation, ku ka mbajtur poste si Drejtor i Përgjithshëm i Divizionit të Produkteve të Çelikut, Drejtor Ekzekutiv, President i Mitsubishi Corporation të Australisë dhe Zelandës së Re, Menaxher i Përgjithshëm i Operacioneve të Biznesit dhe President i Dhomës Japoneze të Tregtisë dhe Industrisë, në Melburn. Ai gjithashtu ishte një Lektor i Ftuar në Universitetin Otemon Gakuin në 2018 (deri në 15 tetor 2020). Ai u emërua Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Japonisë në Shqipëri më 19 tetor 2020 dhe dolin në pension nga Ministria e Punëve të Jashtme në dhjetor të viti 2023, dhe themeloi Albalkan Corporation (kompani konsulence) në Shqipëri në maj 2024.

Edukimi që i mësoi bazat e jetës

Arsimi që mora në shkollën fillore Otemon Gakuin pati një ndikim të thellë dhe pozitiv në jetën time. Shkolla fillore Otemon Gakuin u krijua në 1888 nga Kaikosha, një organizatë e lidhur me ushtrinë, dhe fillimisht ishte krijuar për edukimin e fëmijëve të oficerëve ushtarakë. Shkolla Otemon Gakuin është një nga shkollat fillore private në Japoninë perëndimore me një histori të gjatë. Babai im e zgjodhi këtë shkollë sepse besonte se ajo ofronte standarde të larta arsimore dhe disiplinë të rreptë. Mua më pëlqent vendndodhja e shkollës, përballë Kalasë së Osakës. Çdo ditë kishim ceremoninë e ngritjes së flamurit kombëtar dhe ushtrimet e mëngjesit dhe disiplina ishte strikte. Në klubin e kendo-s, mësuesit na thonin “eja tek unë” dhe na godisnin shpejt. Në fund të fundit, ishte epoka e Showa-s, dhe kjo ishte norma. Megjithatë, atmosfera në përgjithësi ishte e relaksuar dhe e qetë, me shumë fëmijë që vinin nga familje të njohura në Osaka.

Kur erdhi koha për shkollën e mesme, prindërit e mi më sugjeruan të provoja eksperienca të ndryshme, kështu që u regjistrova në një shkollë të mesme publike. Kjo ishte një përvojë e mire për mua, pasi ishte ndryshe nga shkolla private. Gjimanzin e përfundova në La Salle në Kagoshima. La Salle ishte një shkollë me konvikt dhe une mendova që do të ishte më mirë të jetoja larg prindërve. Ndoshta kisha mëndësinë e të qënit i pavarur. Nga 250 studentë, rreth 50 vinin në shkollë çdo ditë nga shtëpitë e tyre, ndërsa 200 të tjerët vinin nga vende të ndryshme të Japonisë dhe jetonin në konvikt. Si rezultat, kjo shkollë kishte një kulturë unike që nuk gjendet në Osaka apo Tokio. Ishte një atmosferë e hapur dhe kozmopolitane. Të gjithë studionin shumë, por atmosfera nuk ishte tepër konkurrues. Ishte një mjedis i gjallë dhe argëtues me bashkëmoshatarë që përpiqeshin të përmirësoheshin së bashku.

Dy Mësime nga Profesor Hiroshi Kato që Unë Ende i Çmoj

Në atë kohë, kisha dy ëndrra për të ardhmen: njëra ishte të bëhesha burokrat dhe t’i shërbeja vendit tim, dhe tjetra ishte të merresha me biznesin global me një kompani tregtare të përgjithshme. Në një moment, kuptova se nuk isha i përshtatshëm për të qenë burokrat. Të ndiqja rregullat në mënyrë rigoroze nuk i përshtatej natyrës time. Doja të lëvizja lirshëm. Kështu që, me zemrë, mendova se do të ishte më mirë të punoja në një kompani private.

Me këto ndjenja, hyra në provimet pranuese në universitete. Universiteti i Tokios nuk më pranoi por Universiteti Keio po. Nëse do të bëhesha burokrat, Universiteti i Tokios ishte thelbësor, por për të punuar në sektorin private, Universiteti Keio ishte shumë i përshtatshëm. Për këtë arsye vendosa të mos prisja edhe një vit për të ri-aplikuar në Universitetin e Tokios. Doja filloja punë sa më shpejt. Për më tepër, kulturat e Keio dhe Otemon Gakuin ishin shumë të ngjashme, të qeta dhe të plot me njerëz të mire, kështu që mora një vendim të shpejtë për Universitetin Keio.

Kur zgjodha seminaret në vitin e tretë, mendova se studimi i politikave ekonomike do të ishte i dobishëm për t’u përballur me situata të ndryshme si një i rritur në punë. Për këtë arsye, u regjistrova në seminarin e Profesor Hiroshi Kato. Seminari ishte i vështirë. Kishte 17 nën-seminare dhe 2 seminare në javë. Ishim 18 studentë dhe u ndanë në tre grupe: Sistemet Krahasuese, Ekonomia Japoneze dhe Ekonomia e Planifikuar. Ne duhet të shkruanim një detyrë kursi gjatë pushimeve verore, pra duhet të përgatiteshim çdo ditë duke filluar nga pranvera e vitit të tretë për të arritur këtë qëllim. Kishim një rutinë të përditshme që konsistonte në leximin e materialeve, përmbledhjen dhe diskutimin e tyre. Madje kishim edhe kampe stërvitore gjatë natës, kështu që dukej sikur po bashkëjetonim me studentët e seminarit. Shumë njerëz mund të jenë në dijeni se Profesori Kato ishte këshilltar i Kryeministrit Ryutaro Hashimoto dhe Kryeministrit Junichiro Koizumi. Ai promovoi privatizimin e Japanese National Railways (Hekurudha Kombëtare Japoneze), Nippon Telegraph and Telephone Public Corporation (Korporata Publike e Telefonit), Japan Tobacco dhe shërbimin postar. Profesor Kato më mësoi dy gjëra: njëra është “të njohësh kënaqësinë” dhe tjetra është “të falënderosh ata që të kanë ndihmuar kur je i lumtur dhe të fajësosh veten kur ndjen se ke dështuar”. Këto dy mësime ende jehojnë tek unë.

Bazat e biznesit: Dashuria dhe Besimi

Kur po përzgjidhja kompaninë ku do të punoja, isha i pasigurt se cilën kompani tregtare të zgjidhja, por profesor Kato më këshilloi: “Zgjidh Mitsubishi Corporation dhe puno fort atje”. Ai më inkurajoi, duke me thënë: “Nëse dikush që ka studiuar me zell për katër vjet si ju nuk mund të punojë për këtë kompani, atëherë askush nuk mundet”. Kjo më dha besimin për të hyrë në intervistë.

Pasi u punësova në Mitsubishi, më caktuan në sektorin e eksporteve të çelikut, dhe isha i emocionuar për këtë. Në vjeshtën e vitit të dytë, më dërguan në një udhëtim pune në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara. Me të mbërritur në Detroit nëpërmjet Çikagos, mbeta i mahnitur nga hapsirat e mëdha të Amerikës dhe madhësia e petullave në mëngjes. Me aftësitë e mia të kufizuara në anglisht të fituara vetëm nga studimet për provimeve, më ngarkuan të interpretoja për përfaqësuesit e kompanive japoneze gjatë takimeve me klientët vendas, një përvojë sfiduese por e paharrueshme. Kishte shumë për të mësuar në udhëtimin tim të parë të biznesit jashtë shtetit.

Deri në vitin 1986, unë mbuloja zonën e Amerikës së Veriut, por pati disa ndryshime organizative, dhe fokusi u zhvendos nga rajonet, në kategoritë e produkteve. Në vijim punova me vende si Tajlanda, Malajzia, Australia dhe të tjera në Azi-Oqeani. Në vitin 1989, më caktuan të punoja në Korenë e Jugut për dy vite e gjysmë. Kjo ishte gjithashtu një përvojë mësimi për mua. Në atë kohë, importi i produkteve japoneze ishte i ndaluar në Kore, gjë që e bënte jetën e përditshme të vështirë. Atje mësova rëndësinë e bashkëpunimit me punonjësit vendas, duke i trajtuar ata njësoj si stafin japonez. Kjo përvojë ishte e vlefshme në rolet e mëvonshme në Japoni, Australi, Zelandën e Re dhe Shqipëri.

Çelësi është të duash vendin ku ndodhesh. Shumë njerëz ankohen për vendet ku zhvendosen për të punuar, por është e lehtë të gjesh gjëra që nuk të pëlqejnë. Fokusimi në këto gjëra nuk do të ndryshojë asgjë. Nëse nuk gjen diçka për të vlerësuar, qoftë karakteri kombëtar, kultura apo ushqimi, nuk mund të ndërtosh marrëdhënie të mira. Edhe nëse ka gjëra që nuk mund t’i pranosh, nuk ka nevojë t’i shprehësh ato. Unë ende e dua Korenë dhe kam shumë miq atje. Puna në një mjedis të vështirë si Koreja më dha besimin se mund të punoja kudo në botë. Bazat e biznesit janë të njëjta në mbarë botën: gjithmonë merrni parasysh palën tjetër dhe kuptoni se për çfarë ka nevojë. Unë shpesh u them punonjësve të rinj që përpiqen të punojnë me ritmin e tyre: “Biznesi është si të dalësh me dike në një takim romanktik. Është e rëndësishme të dëgjosh çfarë i pëlqen personi tjetër dhe çfarë ai/ajo dëshiron.” Një tjetër pikë kyçe është krijimi i besimit me njerëzit vendas. Punonjësit vendas dinë më shumë për kulturën, ekonominë dhe historinë e vendit të tyre sesa një i huaj si unë. Në mënyrë të pashmangshme ka gjëra që duhet t’i besohen stafit lokal. Për ta bërë këtë, duhet të ketë besim reciprok. Është e pamundur të bësh gjithçka vetë. Kanë kaluar disa vite që jam shkëputur nga biznesi me kompanitë e mëdha tregrate të përgjithshme, por ndjej që kam përfunduar detyrën time me sukses.

Kultivimi i lidhjeve të biznesit ndërmjet Shqipërisë dhe Japonisë

Në moshën 62-vjeçare u emërova Ambasador i Japonisë në Shqipëri. Japonia ka Ambasada në shumë vende, dhe disa Ambasadorë nuk vijnë nga një karrierë diplomatioke në Ministrisë së Punëve të Jashtme. Unë isha Ambasadori i tretë nga Mitsubishi Corporation, dhe të tjerë vinin nga kompani të ndryshme tregtare dhe institucione financiare. Nuk e kisha menduar kurrë që do të emërohesha Ambasador, dhe ishte një surprizë e madhe për mua. Vendimi se ku do të emërohesha u mor pak para emërimit tim dhe u befasova kur dëgjova se ishte Shqipëria, një vend që e njihja pak. Mbërrita në Shqipëri në fund të nëntorit të vitit 2020, pikërisht në mes të pandemisë COVID-19. Gjatë kohës që punoja si President i Mitsubishi Corporation për Australinë dhe Zelandën e Re, kisha zhvilluar takime me Ambasadorë të tjerë, kështu që kisha një ide bazë të rolit. Ambasadorët ishin të ngrohtë, të aftë në komunikim me njerëzit dhe në krijimin e një atmosfere të mrekullueshme. Kur mora detyrën e Ambasadorit, kuptova se, ndryshe nga biznesi, ku qëllimi kryesor është fitimi, duhet të isha i kujdesshëm me veprimet dhe fjalët e mia, duke përfaqësuar vendin. Mendova se si mund të kontribuoj në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Japonisë. Shqipëria është një vend pro-Japonez dhe kam punuar në fusha të ndryshme për të rritur më tej praninë e Japonisë në Shqipëri. Për shembull, nëpërmjet skemës së granteve “Grassroots ODA”, ne dhuruam pajisje mjekësore, zjarrfikëse dhe ambulanca për pushtetin vendor. Gjithashtu organizuam evente kulturore si Javët Kulturore të Japonisë për të thelluar më tej kuptimin e kulturës japoneze nga populli shqiptar. Si një biznesmen i emëruar Ambasador, u fokusova veçanërisht në zgjerimin e tregtisë midis dy vendeve, dhe arrita disa suksese.

Japonia dhuron mjete zjarrfikëse për Tiranën
100 Vjetori I Marrëdhënieve Miqësore Shqipëri – Japoni
Z. Takada Mitsuyuki viziton Universitetin Epoka

Gjatë detyrës si Ambasador, kam prezantuar mundësi të reja biznesi për kompanitë private nga të dy vendet dhe disa kompani shprehën interes për të krijuar partneritete biznesi ose sipërmarrje të përbashkëta. Tani, po mundohem të ndihmoj në krijimin e bizneseve të reja. Shkalla e këtyre bizneseve është shumë më e vogël se ajo që kam trajtuar në Mitsubishi Corporation, por jam i kënaqur për sa kohë numri i bizneseve vjen duke u rritur. Unë dua të marr përsipër sfidën e rritjes së këtyre bizneseve duke i inkubuar ato. E pëlqej Shqipërinë gjithmonë e më shumë. Është një vend shumë pro-japonez me mot të mirë, njerëz miqësorë, ushqime të shijshme, peizazhe të bukura dhe një mjedis të sigurt. Mezi pres rezultatet e sfidave të mia të reja këtu

Kjo intervistë ishte një mundësi e shkëlqyer për të reflektuar mbi jetën time profesionale. Kujtova punën që kam bërë gjatë kohës time në Mitsubishi Corporation, nga shkolla fillore në universitet dhe më pas, gjatë tre viteve të mia si Ambasador i Japonisë në Shqipëri. Më nxiti të shikoja jetën dhe karrierën time nga një këndvështrim më i gjerë. Si rezultat, mendova edhe një herë se “anjeherë nuk e di se çfarë të sjell jeta; është tepër emocionuese” dhe unë dua të vazhdoj ta shijoj jetën në maksimum.

Një gjë që e kuptova thellësisht është se “Unë jam këtu sot për shkak të mbështetjes së prindërve të mrekullueshëm, familjes, miqve, mentorëve, kolegëve, të rinjve dhe homologëve të biznesit”.

Në moshën 65-vjeçare nisa një biznes në Shqipëri dhe do të vazhdoj të punoj për ndërtimin e marrëdhënieve të reja biznesi midis Japonisë dhe Shqipërisë. I vlerësoj mbështetjen dhe udhëzimet tuaja të vazhdueshme.

President dhe CEO i Albalkan Corporation
Mitsuyuki Takada


Në këtë intervistë, më lanë shumë mbresa përvojat e pasura të jetës dhe filozofia e thellë e zotit Mitsuyuki Takada. Tranzicioni i karrierës së tij nga Mitsubishi Corporation në Ambasador të Japonisë në Shqipëri, dhe entuziazmi i tij për sfida të reja të biznesit, ka qenë një burim guximi dhe frymëzimi për shumë njerëz.

Ajo që më goditi më shumë ishte theksi i zotit Takada për të kuptuar dhe vlerësuar kulturat e ndryshme. Përvojat e tij të punës në Korenë e Jugut dhe sfidat e tij të reja në Shqipëri nxjerrin në pah rëndësinë e ndërtimit të marrëdhënieve të bazuara në respekt dhe besim, pavarësisht nga vendi apo kultura. Historia e tij ku tregonte së duke përjetuar personalisht bukuritë dhe sharmin e Shqipërisë e rriti dashurinë e tij për këtë vend, ishte veçanërisht mbresëlënëse.

Rrëfimi i z. Takada pasqyronte gjithashtu krenarinë e tij si student i Keio-s dhe ndikimin e Profesorit Hiroshi Kato. Profesor Kato u shfaq në pjesën e 12-të të “Filozofia ime” dhe kujtoj shansin e çmuar që pata për ta intervistuar në vitin 2012. Historitë nga jeta e hershme e Profesorit Kato, ishin tepër frymëzuese.

Nëpërmjet kësaj interviste, m’u kujtua se si ndërveprimet me njerëz nga kultura dhe prejardhje të ndryshme mund të zgjerojnë shumë horizontin tonë dhe të nxisin rritjen. Qasja e guximshme e zotit Takada ndaj sfidave të reja dhe përpjekjet e tij për të thelluar lidhjet me botën padyshim që do të frymëzojnë shumë njerëz. Mezi pres të ndjek dhe mbështes përpjekjet e tij në të ardhmen.

Për më tepër, mundësia për të eksploruar Shqipërinë, e udhëhequr nga z. Takada, ishte një përvojë e mrekullueshme. Dëshiroj të punoj së bashku me Z. Takada në krijimin e mundësive të biznesit midis Shqipërisë dhe Japonisë.

Kryeredaktor i “Filozofia ime” Daisuke Sugiyama

Në MAK Albania Hotel Edituar nga:DK Sugiyama Fotografi: Roxanna Tuttle